Janë ekstraduar nga Dubai në Shqipëri, tre shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit bëhet fjalë për shtetasit E.D, M.K dhe A.Xh, të cilët ishin në kërkim për akuza të rënda nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për krime të kryera.
“E.D, 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, mbetur në tentativë, ‘Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Përkrahja e autorit të krimit’, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. M.K, 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, kryer për interes dhe hakmarrje, ‘Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje’, ‘Përkrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. A.X, 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, operacioni, pjesë e aksionit të koduar “The Wanted”, u realizua në koordinim të ngushtë mes strukturave të specializuara të Policisë shqiptare dhe Policisë së Dubait, duke treguar edhe një herë efikasitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.