Një tërmet me magnitudë 6.1 që goditi brigjet qendrore të Perusë të dielën, duke tronditur Limën dhe qytetin port të Callao, ka lënë një person të vdekur dhe pesë të lënduar.
Tërmeti ndodhi në orën 11:35 të mëngjesit me orën lokale në Oqeanin Paqësor, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.
Epiqendra e tij ishte 23 kilometra (14 milje) në jugperëndim të Callao, në perëndim të kryeqytetit Lima, shkruajnë mediat e huaja.
Një burrë 36-vjeçar vdiq në veri të Lima-s ndërsa “qëndronte jashtë automjetit të tij në pritje të një pasagjeri” kur një mur nga kati i katërt i një ndërtese në ndërtim u shkëput dhe ra mbi kokën e tij, tha për radion RPP koloneli i policisë Ramiro Clauco.
Pesë personat e lënduar po trajtohen në spitale, tha Qendra Operative Emergjente. Agjencia raportoi gjithashtu dëmtime në rrugë dhe qendra arsimore.
Pamjet e shpërndara nga mediat lokale treguan gjithashtu makina të goditura nga rrënojat, shtëpitë e dëmtuara dhe tabelat e shembura.
Stacionet radio lokale raportuan se një ndeshje futbolli profesionist në stadiumin Alberto Gallardo të Limës u ndërpre për disa minuta.
Një meshë në katedralen e Lima u ndërpre gjithashtu, pasi adhuruesit e frikësuar u larguan nga vendi i ngjarjes.
Peruja ndodhet përgjatë Unazës së Zjarrit, një shteg përgjatë Oqeanit Paqësor që karakterizohet nga tërmete të shpeshta dhe vullkane aktive.