Kanabis në formë çokollate, arrestohet i dyshuari në Fier për shitje të heroinës dhe substancave tjera narkotike

Policia e Shtetit ka arrestuar një 53-vjeçar në Fier, i dyshuar për shitje të heroinës.

Policia njofton se të dyshuarin e arrestuan në flagrancë duke shitur doza të heroinës, ndërkaq penalisht është proceduar edhe blerësi.

Në njoftim tutje thuhet se specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, finalizuan operacionin policor të  koduar “Moment”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta.

“Gjatë operacionit, në lagjen “Liri Gero”, Fier, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin A. M., duke i shitur lëndë narkotike Heroinë, në doza, shtetasit F.D.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. M. dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Heroinë të ndarë në doza gati për shitje, një sasi lëndë narkotike Cannabis në trajtë çokollate, një krehër pistolete, 1 peshore elektronike dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që ky shtetas përdorte për këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.