Shpërthim në bazën ajrore amerikane në Okinawa të Japonisë, raportohet për katër të lënduar

Një shpërthim lëndoi katër burra në një strukturë japoneze për ruajtjen e bombave të pashpërthyera në një bazë ajrore amerikane në Okinawa më 9 qershor.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët lokalë, sipas të cilëve, gjendja e tyre thuhet se nuk është kritike.

Anëtarët e Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë (SDF) në strukturën në Bazën Ajrore Kadena po përpiqeshin të fshinin ndryshkun nga sendet në strukturë për të rivlerësuar nëse ishin bomba, tha zyrtari lokal i zjarrfikësve Akira Kamiunten.

Gjatë këtij procesi pati një shpërthim që plagosi katër anëtarë meshkuj të SDF të cilët u dërguan me urgjencë në spital, i tha ai AFP-së, përcjell Telegrafi.

Jiji Press dhe media të tjera lokale thanë gjithashtu se asnjë nga lëndimet nuk ishte kërcënuese për jetën.

Ndërkohë, një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes konfirmoi gjithashtu raportet për një shpërthim në Bazën Ajrore Kadena, të vendosur në ishullin kryesor të rajonit jugor të Okinawa-s.