Gjermanisë i duhen deri në 60,000 trupa shtesë, thotë shefi i Mbrojtjes

Ushtria gjermane, Bundeswehr, do të ketë nevojë për rreth 50,000 deri në 60,000 trupa shtesë për të përmbushur kërkesat e përditësuara të mbrojtjes të NATO-s, mes kërcënimit në rritje nga Rusia, ka thënë të enjten ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Gjermania po kërkon të përshtasë pozicionin e saj ushtarak në përgjigje të planeve të NATO-s për mbrojtje kolektive, ndërsa aleanca vazhdon të mbështesë krahun e saj lindor pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Ne supozojmë, por ky është vetëm një vlerësim i përafërt për të qenë të qartë, se na duhen rreth 50,000 deri në 60,000 ushtarë më shumë në forcat e armatosura të përhershme sesa kemi sot”, ka thënë Pistorius në një takim të NATO-s në Bruksel, shkruajnë mediat e huaja.

Pistorius pranoi se planet për një sistem rekrutimi vullnetar më proaktiv mund të mos jenë të mjaftueshme për të kapërcyer hendekun ndërsa Gjermania përshtatet me një pozicion gatishmërie për luftë.

Dhe ndonëse rekrutimi mund të jetë i nevojshëm tani, tha ministri, ai “nuk ka asnjë dobi tani sepse nuk kemi kapacitet as në kazermë dhe as në stërvitje”.

“Kjo është arsyeja pse këto kapacitete duhet të rriten”, ka shtuar ministri gjerman. “Deri atëherë, zbatohet pjesëmarrja vullnetare”.