Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka pritur sot në ambientet e Qeverisë, Hana Selmanin, një studente e suksesshme shqiptare nga Shkupi, e cila permes inteligjencës artificiale krijoi një program për zbulimin e depresionit.
Në këtë takim, Hana ishte e shoqëruar nga babai i saj, afaristi i suksesshëm nga Shkupi, Bejtulla Imeri.
“Sot prita në zyrë Hanën, një studente shqiptare nga Shkupi, që studion shkenca kompjuterike në NYU Abu Dhabi. Hana është autore e një programi me inteligjencë artificiale që zbulon depresionin me saktësi 99 për qind, duke treguar aftësi të jashtëzakonshme në këtë fushë.
Ajo që më frymëzoi në mënyrë të veçantë gjatë këtij takimi ishte thellësia e dijes së Hanës, e cila nuk buron nga dëshira për të shkëlqyer sa më shpejt, por nga një përkushtim i sinqertë për shkencën dhe dijen. Hana është pjesë e një brezi që nuk kërkon vetëm të gjejë vendin e vet në botë, por synon ta ndryshojë atë për mirë.
Në të pashë përmbajtje të vlefshme, seriozitet në punë dhe ambicie për të ardhmen, vlera që dëshmojnë se edhe nga vendet më të vogla mund të dalin ide që rezonojnë globalisht. Ajo tregon se periferia gjeografike nuk është pengesë për të arritur qendrat e dijes dhe se gjuha e shkencës, kur flitet me integritet, është universale dhe dëgjohet kudo.
Ky takim më rikujtoi se përgjegjësia jonë është të hapim rrugë për të rinj si Hana. Është detyra jonë t’i dëgjojmë, t’i mbështesim dhe t’i marrim seriozisht. Të investojmë në të ardhmen e tyre, sepse aty qëndron shpresa dhe fuqia e së ardhmës”, ka shkruar në rrjetet sociale Mexhiti.