Do të mendohej se dyshja që krijoi super-hit-in “Prisoner” do të mbetej e lidhur për jetë – ose të paktën në kushte të mira miqësore – por duket se një këngë e re e Miley Cyrus mund të tregojë të kundërtën.
Këngëtarja amerikane ka publikuar së fundmi këngën “Every Girl You’ve Ever Loved”, një këngë pop me ndikim nga vitet ’80, e cila ka ngjallur spekulime se mund të jetë një thumb i fshehur ndaj Dua Lipës – me të cilën Miley kishte pasur një raport të ngushtë dikur, shkruan DailyMail.
Dyshimet nisin nga disa vargje në tekstin e këngës: “Ajo flet frëngjisht në mënyrë perfekte / Mund të kërcejë gjithë natën / Dhe sërish, nuk do t’i dalë asnjë pikë djersë”.
Për disa, këto mund të duken si përshkrime të përgjithshme. Por për shumë të tjerë, përshkrimi përkon në mënyrë të habitshme me Dua Lipën.
Dua është parë shpesh duke demonstruar aftësitë e saj në frëngjisht, përfshirë edhe në një version remix të këngës “Talk Talk” të Charli XCX dhe Troye Sivan. Po ashtu, vargu për vallëzimin natën duket si një referencë e qartë ndaj këngës “Dance the Night” nga kolona zanore e filmit “Barbie”.
Sa i përket vargut të fundit – “dhe sërish nuk do t’i dalë asnjë pikë djersë” – disa fansa e kanë interpretuar si një thumb ndaj performancave të Lipës, duke rikujtuar një meme virale që bënte shaka me stilin e saj të qetë dhe pa shumë lëvizje në skenë.
Megjithatë, disa e shohin këtë jo si kritikë, por si një reflektim më të thellë nga vetë Miley Cyrus – një krahasim mes dy artisteve. Ndërkohë që Lipa njihet për një prani skenike të ftohtë dhe të përmbajtur, Cyrus është shprehur shpesh për përfshirjen e saj emocionale dhe fizike në çdo performancë. Prandaj, disa fansa besojnë se kjo mund të jetë një mënyrë për të treguar pasiguritë e vetë Miley-t apo ndjenjat e konkurrencës.
Çfarë ndodhi mes tyre?
Edhe pse nuk ka pasur konflikte të hapura mes tyre, është fakt se të dyja nuk kanë bashkëpunuar që nga viti 2020 me këngën “Prisoner”. Që prej atëherë, nuk janë parë më bashkë as publikisht.
Fansat vunë re edhe një detaj interesant së fundmi: në të dhënat zyrtare të këngës “Prisoner”, tani Miley Cyrus figuron vetëm si “artiste e ftuar” – ndonëse në fillim ajo ishte artistja kryesore dhe një nga autoret e këngës. Ky ndryshim i papritur ka shtuar spekulimet për ftohje të raporteve mes tyre.
Komentet në rrjetet sociale nuk munguan: “Është fiksuar keq, s’e besoj,” shkroi një përdorues në platformën X (ish-Twitter), duke shtuar edhe një emoji që qesh me lot. “Obsesion i pastër”, shkroi një tjetër.
Të tjerë u shprehën të habitur nga referenca e qartë: “Nëse këto janë vërtet vargjet, ajo duhet të eci përpara – çfarëdo që të ketë ndodhur mes tyre”.
Kjo “hije” e dyshuar vjen në një periudhë interesante për Cyrus, e cila para pak kohësh u përfol gjerësisht për klipin “Flowers” – ku u aludua se kishte thumbuar Jennifer Lawrence për një lidhje me ish-bashkëshortin e saj, Liam Hemsworth. Por Cyrus e mohoi këtë thashethem, duke thënë thjesht: “Jo, por më pëlqen shumë fustani i saj”.
Nëse kënga e re ka apo jo për qëllim thumbimin e Duas, një gjë është e sigurt – ajo ka ndezur diskutime. Dhe kjo ndodh shpesh me gjithçka që bën Miley Cyrus.
Dikur, marrëdhënia e tyre ishte aq e ngushtë, sa që Dua Lipa e kishte ftuar Milleyn të vinte në Kosovë në vitin 2019, për të performuar në festivalin Sunny Hill që organizohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa. Ato nuk ishin vetëm kolege, por shoqe të afërta – ndaj fansat nuk mund të mos pyesin: çfarë doli jashtë kontrollit?