Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe drejtorët e Muzeut të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Borçe Topukovski, dhe Muzeut të Artit Bashkëkohor, Tihomir Topuzoski, nënshkruan Memorandum të Bashkëpunimit, i cili, ndër të tjera, thekson rolin e kulturës dhe artit në zhvillimin shoqëror dhe shpreh vullnetin për të zhvilluar vetëdijen për avancimin e vlerave kulturore dhe artistike në ndërtesën ku ndodhet Dhoma Ligjvënëse.
Siç kumtoi Shërbimi për shtyp i Kuvendit, qëllimi i Memorandumit është të sigurojë ruajtjen e të gjitha të mirave materiale dhe kulturore që ndodhen në ndërtesën e Kuvendit në gjendjen e tyre burimore, si dhe të ndërmarrë aktivitete për të parandaluar veprimet, dukuritë dhe ndikimet që shkaktojnë ose mund të shkaktojnë dëmtimin, shkatërrimin, zhdukjen, degradimin dhe përvetësimin e paligjshëm të tyre.
Kuvendi dhe muzetë do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për t’i arritur qëllimet e këtij Memorandumi përmes: hartimit dhe zbatimit të projekteve të konservimit dhe restaurimit për nevojat e Kuvendit, pa kompensim; organizimit dhe zbatimit të ngjarjeve dhe projekteve kulturore dhe ekspozitore; aktiviteteve konsultative dhe shkëmbimit të ndërsjellë të informacioneve; formimit të ekipeve të përbashkëta për hartimin e regjistrit të veprave artistike dhe sendeve kulturore dhe historike në Kuvend; përfshirjes së palëve nënshkruese në aktivitetet e projektit me interes të ndërsjellë dhe fusha të tjera me interes të përbashkët për të cilat bazohet bashkëpunimi.