Albion Alili nga shërbimi për informim i komunës së Tetovës ka hedhur poshtë akuzat e Shtëpisë Botuese “Onufri” për gjoja plagjiaturë të botimeve të tyre nga ana e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Si përfaqësues i Komunës së Tetovës, Alili disa herë përsëriti se Komuna nuk ka blerë e as shitur libra dhe se materialet që janë parë duke u shpërndarë në biblioteka, janë blerë nga vetë shkollat.
“Komuna e Tetovës dhe kryetari as nuk ka porositur libra e as nuk ka blerë libra. Librat janë blerë nga vetë shkollat e mesme, me mjetet e tyre vetanake dhe do me thënë janë blerë nga Shtëpia Botuese “Çabej” – Tetovë. Ne si Komunë nuk kemi blerë libra, aq më pak kryetari i Komunës. Në një postim thuhet se kryetari ka shitur libra, edhe kjo është një e pavërtetë shumë e madhe. Kryetari ka qenë nëpër shkollat e mesme për të parë furnizimin e Bibliotekave me lektyra që janë blerë nga vetë shkollat. E ritheksoj – kryetari as nuk ka blerë libra e as nuk ka shitur”, tha Albion Alili.