Sipas Kurtit, Berisha nuk u shkarkua për marrëveshjen e linjës ajrore mes Prishtinës e Beogradit

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka vizituar sot Aeroportin Ndërkombëtar ”Adem Jashari”.

Albin Kurti gjatë kësaj vizite që zhvilloi në objektin e vjetër të Aeroportit të Prishtinës, nuk komentoi gjatë shkarkimin që mbrëmë iu bë Eset Berishës nga detyra e Drejtorit të Autoritetit Civil të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Megjithatë i pyetur nga Klan Kosova nëse ai u shkarkua për shkak të marrëveshjes për linjen ajrore që u bë mes Kosovës e Serbisë, ai nuk pohoi një gjë të tillë.

”Shkarkimi ka ndodhur mbrëmë. Për arsyet e shkarkimit lexoni vendimin, nuk kam çka i shtoj asgjë vendimit”, u shpreh ai.

Ndërsa referuar vendimit për shkarkimin e Eset Berishës nga detyra e Drejtorit të Autoritetit Civil të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka arsyet si vijon:

”Në mbështetje të kompetencave të Qeverisë, përkatësisht nenit 20, paragrafi 4, pika a) e Ligjit Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, sot ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, z. Eset Berisha për shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale. Z. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht, dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh. Emërimi i z. Eset Berisha, si Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së ka qenë në kundërthënie me ligjin qysh prej fillimit, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur në interes zbatimin e plotë të ligjit dhe interesin publik prioritet, ka marr vendim për shkarkimin e z. Berisha, dhe emërimin e z. Arianit Islami, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, deri në marrjen e rekomandimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit për emërimin e drejtorit të ri, sipas legjislacionit në fuqi”.