Shkruan: Florian Nesimi
Zërat se partitë e koalicionit Vlen kanë filluar procedurën për themelimin e një partie të përbashkët ngjallën edhe debatin për mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të partisë. Përderisa në vendet me demokraci të zhvilluar kryetarët e partive ndërrohen me kalimin e kohës, tek ne ekziston modeli i partive me kryetarë të përjetshëm, e që fatkeqësisht është tipike për vendet me tradita autoritarizmi.
Por cilat janë mangësitë e modelit të partive me kryetarë të përjetshëm?
Te partitë politike shqiptare është ndërtuar modeli i partisë ku kryetari ka krijuar kultin e liderit dhe ai e mban pushtetin absolut të partisë.Është krijuar bindja se vetëm ai mund të mbajë gjithçka bashkë, dhe si rrjedhojë anëtarësia nuk ndjek ndonjë ideologji por identifikohet vetëm me liderin. Kështu kryetari shndërrohet në pronar të partisë.
Kur në një parti kryetari nuk ndryshon me dekada të tëra, atëherë edhe politikat e partisë mbeten të vjetra, krijohet rrethi i afërm dhe klientelist i liderit, të cilët pastaj krijojnë karrierat e tyre pa asnjë meritë. Të rinjtë dhe profesionistët e fushave të ndryshme humbin besimin te partitë dhe dalëngadalë tërhiqen nga jeta publike, dhe kështu ngecin prapa edhe në karrierat e tyre profesionale.
Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë nevojë urgjente për një ndryshim të mënyrës së funksionimit dhe organizimit. Partitë duhet të jenë një lloj i insitucioneve publike që i shërbejnë qytetarëve, e jo të jenë pronë private të një grupi të vogël njerëzish. Partitë duhet të hapin rrugën të rinjve dhe profesionistëve, pasi sot shumë të rinj që janë të aftë nuk iu afrohen partive ngaqë e dinë se aty gjithçka kontrollohet nga një rreth shumë i mbyllur. Partia duhet të reformohet me qëllim që të tërheqë rreth saj persona që kanë përgatitje të lartë profesionale.
Shkaku kryesor se pse partia nuk duhet të jetë e mbështetur vetëm te lideri i saj është senë një moment vjen dita kur ai, për shkaqe të ndryshme, nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e kryetarit. E një ndër ato shkaqe mund të jetë edhe dëmtimi i reputacionit të tij apoedhe shpallja persona non grata. Ekur të dëmtohet imazhi i kryetarit, e gjithë partia rrezikon të shembet.
Cila është zgjidhja më e mirë për çështjen e kryetarit?
Partitë politike duhet me statut të partisë të rregullojnë çështjen e zgjedhjes dhe të mandatit të kryetarit. Kjo mund të bëhet me një rotacion të rregullt të liderëve, ku kryetarët mos mund të qëndrojnë më shumë se dy apo tre mandate. Një zgjidhje tjetër mund të jetë ajo e Britanisë së Madhe ku lideri i partisë dorëhiqet nëse i humb zgjedhjet. Duhet të ndërtohet një model i tillë ku liderët do të kenë një kulturë të përgjegjësisë publike që edhe për gabime të vogla politikanët të japin dorëheqje.
Si përfundim mund të themi se partitë duhet të ndërtohet asisoji që partia të vazhdojë së funksionuari edhe kur kryetari të largohet nga posti. Por për këtë duhet të krijohet edhe brezi i ri i politikanëve të përgatitur profesionalisht. Anëtarësia dhe votuesit nuk duhet të identifikohet vetëm me liderin e partisë, me të vetmin qëllim që pas largimit të liderit nga funksioni, partia të mos e humb orientimin dhe motivimin.