Michael Schumacher nënshkroi një helmetë që do të shitet për qëllime humanitare

Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, me ndihmën e bashkëshortes së tij Corinne, firmosi një helmetë që do të shitet për qëllime humanitare dhe e cila do t’i prezantohet publikut sot në pistën Sakhir në Bahrein.

Schumacher vendosi inicialet e tij “MS” në helmetë për të mbështetur bamirësinë e kolegut të tij Jackie Stewart “Race Against Dementia”.

Sot, gjatë xhiros së nderit para fillimit të Çmimit të Madh të Bahreinit, që shënon 60-vjetorin e debutimit të tij në Formula 1, legjenda Stewart do të mbajë një përkrenare të nënshkruar nga të 20 kampionët e gjallë të botës në Formula 1, dhe më vonë do të shitet në një ankand bamirësie.

Schumacher, i cili pas një dëmtimi të rëndë të trurit në një aksident me ski në dhjetor 2013, nuk shfaqet në publik, arriti në këtë mënyrë një nga kontaktet e rralla me pjesën tjetër të botës.

“Është e mrekullueshme që Michael nënshkroi një përkrenare për këtë kauzë fisnike sepse është një sëmundje për të cilën ende nuk ka shërim. E shoqja e ndihmoi dhe me këtë mbledhja e nënshkrimeve të të gjithë kampionëve të gjallë të botës tashmë ka përfunduar”, tha Stewart. /Telegrafi/