Gërvalla në Luksemburg, merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në darkën e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo darkë pune do të zhvillohet në margjinat e takimit të rregullt të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, ku ndër temat e agjendës është edhe procesi i zgjerimit me vendet e BP-së.

“Ky takim joformal është organizuar me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, znj. Kaja Kallas, dhe synon të ofrojë një platformë për një shkëmbim të hapur dhe të drejtpërdrejtë mes shefave të diplomacisë së vendeve të BE-së dhe atyre të rajonit”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga MPJD-ja transmeton Klankosova.tv.

Ndër të tjera, kryediplomatja kosovare, pritet të mbajë edhe takime bilaterale me një numër ministrash të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me të cilët do të diskutojë zhvillimet e fundit në rajon, rrugën evropiane të Republikës së Kosovës si dhe rëndësinë e përfshirjes së barabartë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese.