Osmani udhëton në Turqi, në plan edhe takime me homologë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

Osmani atje do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë.

Po ashtu, ajo do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, ka njoftuar Presidenca.

Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.

Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.