Ancelotti po e konsideron një eksperiment në formacion për sfidën ndaj Arsenalit

Real Madridi do të përballet me Arsenalin në Ligën e Kampionëve të martën me shumë probleme në ndeshjen e parë çerekfinale në ‘Emirates’. 

Arsenali ka humbur disa emra në mbrojtje, duke përfshirë Gabriel Magalhaes dhe Riccardo Calafiori dhe teksa Real Madridit i janë rikthyer disa lojtarë nga lëndimi, ata ende po vuajnë në këtë aspekt. 

‘Los Blancos’ kanë qenë duke improvizuar që prej se Dani Carvajal këputi ligamentin ACL, me Lucas Vazquez dhe Fede Valverde që kanë ndarë detyrën si mbrojtës i djathtë. 

Eder Militao po ashtu ka mbetur jashtë për tërë sezonin, duke çuar në rritjen e Raul Asencios në qendër të mbrojtjes. 

Sidoqoftë, Ferland Mendy, një tjetër lojtar titullar nga sezoni i kaluar, po ballafaqohet gjithashtu me lëndime dhe nuk do të luajë në ndeshjen e parë. 

Për pjesën më të madhe, Fran Garcia është përdorur në vend të tij, por me Real Madridin që ka mbajtur portën e paprekur në vetëm dy nga 16 ndeshjet e tyre të fundit dhe ndjenjën se Garcia nuk është opsion i besueshëm në ndeshjet e mëdha, ka pak besim në atë pozitë. 


Kjo ishte evidente pasi Eduardo Camavinga u aktivizua si mbrojtës i majtë në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit ndaj Real Sociedadit. 

Megjithatë, Camavinga pati vështirësi të luajë në atë pozitë dhe për këtë arsye Relevo ka raportuar se Carlo Ancelotti po e konsideron një eksperiment ndaj Arsenalit.

Në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Valencias, David Alaba u aktivizua si mbrojtës i majtë dhe shërbeu mjaft mirë nga krahët. Mbrojtësi austriak ka luajtur pothuajse ekskluzivisht vetëm në qendër të mbrojtjes për madrilenët, por ka pasur vështirësi shkaku i lëndimeve. 

Alaba kaloi një pjesë të karrierës duke luajtur si mbrojtës i majtë, andaj Ancelotti po mendon nëse do të ishte më mirë që veterani të luante aty ndaj Arsenalit. 

Në teori, Alaba do t’i jepte Real Madridit më shumë prezencë në fazën e mbrojtjes dhe në ajër se sa Garcia.