Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së (NSA), gjenerali Timothy Haugh, u shkarkua mbrëmë.
Nuk është dhënë ndonjë arsye për shkarkimin e gjeneralit Timothy D. Haugh, por sipas mediave amerikane, aktivistja Laura Loomer kishte kërkuar shkarkimin në një takim të fundit me presidentin Donald Trump.
Haugh, i cili njëkohësisht drejtonte edhe Komandën Kibernetike të SHBA-së (U.S. Cyber Command), u shkarkua së bashku me zëvendësen e tij në NSA, Wendy Noble, e cila u transferua brenda Pentagonit në zyrën e nënsekretarit për çështjet e inteligjencës, shkruan newyorktimes.
William Hartmann, zëvendësdrejtori në U.S. Cyber Command, është emëruar drejtor i përkohshëm i NSA, ndërsa Sheila Thomas është emëruar si zëvendëse e përkohshme. Pentagon dhe Shtëpia e Bardhë ende nuk kanë komentuar këto shkarkime.
Ky veprim është pjesë e një tendence më të gjerë nën administratën e presidentit republikan, Donald Trump, i cili që nga marrja e detyrës më 20 janar 2025 ka shkarkuar disa zyrtarë të lartë të agjencive amerikane, shpesh duke i zëvendësuar me aleatë besnikë.
Gjithashtu, Elon Musk, i cili udhëheq përpjekjet e administratës për të racionalizuar fuqinë punëtore federale, u takua me Haugh në NSA muajin e kaluar.
NSA është agjencia kryesore e inteligjencës e përfshirë në mbledhjen dhe analizën e sofistikuar të të dhënave, ndërsa Komanda Kibernetike e SHBA-së menaxhon operacionet kibernetike mbrojtëse dhe sulmuese për Departamentin e Mbrojtjes.