Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut ka konfirmuar shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol, i cili u shkarkua në dhjetor pasi shpalli gjendjen ushtarake.
Vendimi për të nxjerrë trupa ushtarake në rrugë shkaktoi krizën më të rëndë politike në dekada në vend, shkruan skynews.
Gjykata vendosi të mbështesë shkarkimin, duke thënë se udhëheqësi konservator “shkeli detyrën si komandant i përgjithshëm duke mobilizuar trupa” kur shpalli gjendjen ushtarake.
Gjithashtu u tha se presidenti kishte ndërmarrë veprime “përtej kompetencave të përcaktuara në kushtetutë”.
Mbështetës dhe kundërshtarë të presidentit u mblodhën me mijëra në qendër të Seulit duke pritur vendimin ndërsa kritikët reaguan me gëzim kur vendimi u bë publik në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Politikani 64-vjeçar tronditi deputetët, publikun dhe aleatët ndërkombëtarë në fillim të dhjetorit kur shpalli gjendjen ushtarake, që do të thoshte se të gjitha ligjet ekzistuese për civilët u pezulluan dhe u zëvendësuan me ligjin ushtarak. Pas shpalljes së papritur të gjendjes ushtarake, Yoon dërgoi qindra ushtarë dhe oficerë policie në Asamblenë Kombëtare.
Ai ka argumentuar se veproi për të ruajtur rendin, por disa oficerë të lartë të ushtrisë dhe policisë të dërguar atje kanë dëshmuar në seanca dëgjimore dhe hetime se Yoon u kishte dhënë urdhër të tërhiqnin me forcë politikanët për të penguar një votim në kuvend mbi dekretin e tij.
Gjendja e emergjencës pas shpalljes së gjendjes ushtarake nga Yoon zgjati vetëm rreth gjashtë orë, pasi parlamenti votoi për ta bllokuar dekretin.
Vendimi unanim për të mbështetur shkarkimin e presidentit nga parlamenti dhe për ta larguar Yoon nga detyra kërkonte mbështetjen e të paktën gjashtë nga tetë gjyqtarët e gjykatës.
Në janar, Yoon u arrestua dhe u akuzua veçmas nga prokurorët për rebelim në lidhje me dekretin e tij — një akuzë që, nëse dënohet, mund të sjellë dënimin me vdekje ose burgim të përjetshëm.
Koreja e Jugut duhet të mbajë zgjedhje të përgjithshme brenda dy muajsh për të zgjedhur një udhëheqës të ri.
Lee Jae-myung, udhëheqësi i Partisë Demokratike opozitare liberale, është favoriti kryesor për t’u bërë presidenti i ardhshëm i vendit.