Dodiku takohet me Putinin në Moskë

Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar të martën me presidentin e entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik i cili ka mbërritur në Moskë një ditë më parë.

Ai e ka mirëpritur presidentin separatist pro-rus duke thënë se është “shumë i lumtur” që është takuar me të, raporton AP.

Dodik, i cili udhëheq gjysmën e Bosnjës të drejtuar nga serbët, ka bërë thirrje vazhdimisht për ndarjen e territorit nga pjesa tjetër e Bosnjës, duke nxitur frikën e destabilitetit.

Lëvizjet e fundit të serbëve të Bosnjës shihen si pjesë e përpjekjeve për ndarje dhe janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Dodik, i cili është përballur me sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë, mbështetet nga Moska.

Një gjykatë boshnjake ka kërkuar javën e kaluar një urdhërarresti ndërkombëtar për Dodikun, i cili po përballet me veprime ligjore për politikat e tij.

Tensionet e fundit kanë ngritur frikën e incidenteve të dhunshme midis forcave qendrore të sigurisë të Bosnjës dhe policisë serbe.