“BMW” dhe gjiganti kinez i tregtisë elektronike “Alibaba” kanë njoftuar një partneritet strategjik të zgjeruar në Kinë, për të integruar inteligjencën artificiale (AI) të modelit të madh të gjuhëve (LLM) në automjetet e gjeneratës së ardhshme të prodhuesit gjerman të makinave, shkruan “Xinhua”.
Ky bashkëpunim është pjesë e strategjisë së BMW-së me funksionim të plotë të inteligjencës artificiale në Kinë, e cila thekson partneritetin me kompanitë kryesore të teknologjisë kineze në fusha të avancuara si AI LLM dhe ndërveprimi inteligjent zanor.
Të dyja kompanitë do të punojnë së bashku për të zhvilluar një motor të inteligjencës artificiale bazuar në Qwen LLM të “Alibaba”. Ky motor fillimisht do të fuqizojë Asistentin Personal Inteligjent të BMW-së në makinë, duke debutuar në automjetet e tij inteligjente të gjeneratës së ardhshme, modelet e tij Neue Klasse, të cilat do të prodhohen në Kinë dhe janë planifikuar të debutojnë në vitin 2026.
“Partneriteti ynë afatgjatë me “Alibaba Group” është shembull i rritjes së përbashkët të arritur me bashkëkrijimin. BMW-ja do të punojë më afër me partnerët kinezë të teknologjisë në lëvizshmërinë elektrike dhe teknologjitë inteligjente, për të shkruar historinë tonë fitimprurëse të rinovuar”,- tha Sean Green, president dhe drejtor ekzekutiv i “BMW Group Region China”.
Foto nga VCG
Me qendrat e kërkimit dhe zhvillimit (R&D) në Pekin, Shangai, Shenyang dhe Nanjing, BMW-ja ka krijuar rrjetin e saj më të madh të kërkim-zhvillimit jashtë Gjermanisë në Kinë.
“Partneriteti ynë me “BMW Group” shënon një hap të rëndësishëm në vendosjen e LLM-ve të fuqizuara nga inteligjenca artificiale në ballë të prodhimit të avancuar. Integrimi i Qwen në sistemet e BMW-së tregon se si inteligjenca artificiale mund të revolucionarizojë lëvizshmërinë”,- tha Eddie Wu, drejtor ekzekutiv i “Alibaba Group”.
“BMW” dhe “Alibaba” kanë bashkëpunuar që nga viti 2015 në fusha të ndryshme, duke përfshirë “cloud computing”, logjistikën dhe prodhimin e zgjuar.
Në fillim të këtij muaji, “BMW”-ja njoftoi gjithashtu një partneritet me gjigantin e teknologjisë kineze “Huawei”, për të zhvilluar një ekosistem dixhital në makinë të përshtatur posaçërisht për tregun kinez.