Zyrtarët e Bashkimit Evropian në prononcime publike nuk precizojnë afatet kohore por vetëm konfirmojnë se diskutimet po vazhdojnë.
“Çështja e masave është ende në shqyrtim në këshill. Kjo do të thotë se është duke u debatuar dhe do të vendoset nga vendet anëtare të BE-së, pavarësisht se kur skadon mandati i institucioneve aktuale evropiane”, deklaroi zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Ndonëse nuk ka shtet anëtarë të Bashkimit Evropian që është kategorikisht kundër heqjes së masave të vendosura ndaj Kosovës, megjithatë ato vazhdojnë të jenë në fuqi si pasojë e mospajtimeve se si të shkohet më tej me këtë proces.
Çështja e masave ndaj Kosovës është trajtuar rishtazi në takimin e ambasadorëve të shteteve anëtare, por nuk ka pasur lëvizje në kuptim të vendimmarrjes.