Zaev: VMRO-DPMNE keqpërdori institucione shtetërore për interesa partiake

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev e cilësoi si skandal aksionin e policisë për të ndaluar ndihmën humanitare, e akuzoi VMRO-DPMNE-në për keqpërdorim partiak të institucioneve shtetërore dhe kërkoi që autoritetet të kryejnë një hetim dhe të japin përgjigje për ngjarjen.

“Kërkoj përgjegjësi për skandalin që ndodhi vonë mbrëmë në Strumicë, ku përmes abuzimit të policisë dhe institucioneve shtetërore VMRO-DPMNE, Naqe Çulev dhe Hristijan Mickoski u përpoqën të parandalojnë një aksion human dhe solidar për të ndihmuar bashkëqytetarët e mi. Unë pres që institucionet kompetente të kryejnë një hetim dhe t’i tregojnë fajtorët. VMRO-DPMNE, përmes strukturave policore, po pengon ndihmën humanitare për qytetarët përmes keqpërdorimit të institucioneve shtetërore. VMRO-DPMNE me struktura të regjimit policor natën e kaluar deri në orët e para të mëngjesit u bëri presion dhe kërcënime vullnetarëve dhe anëtarëve të organizatës civile”, shkroi Zaev në FB.

Ai shtoi se policia ka ndaluar vullnetarë të rinj në stacion policor, duke i kërcënuar ata, vetëm sepse, siç tha, dikujt i ishte dhënë një detyrë partie dhe i pengonte solidariteti.