Azizi: BDI-ja nuk arriti t’i ndërtojë 2 km rrugë, për 22 vite në pushtet

Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi-Azizi, në një intervistë për gazetën LAJM, ka deklaruar se Qeveria e re ka trashëguar shumë probleme nga e kaluara.

Duke folur për autostradën Shkup-Bllacë, ajo akuzoi BDI-në se për dy dekada nuk ka arritur të ndërtojë as 2 kilometrat e para të kësaj rruge të rëndësishme, që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

“Për fat të keq, kjo qeveri ka trashëguar probleme të shumta nga qeverisja e mëparshme, probleme absurde siç është ai me 2 km e rrugës Shkup-Bllacë. Në shekullin XXI flasim për ndërtimin e 2 kilometrave. Si është e mundur që të qeverisësh për 22 vite dhe për 22 vite mos të kesh aftësinë të përfundosh 2 kilometra autostradë. Qytetarët vetë mund ta llogarisin sa kilometra autostradë ka ndërtuar BDI për këto 22 vite dhe sa e rëndësishme paska qenë Kosova për BDI-në, për pushtetin e kaluar. Këto 2 kilometra do të përfundojnë së shpejti, por duhet t’i sqarohet opinionit se kjo autostradë, lidh diçka me asgjë sepse përfundon në një gropë, pra mbesin 2 kilomtra të pashfrytëzuar. Pra, janë punuar nga mjeshtërit e projekte të dështuara”, u shpreh Azizi, duke thënë se kjo Qeveri mbetet e përkushtuar në përfundmin e kësaj autostradë gjatë mandatit të saj./Gazeta LAJM