Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut hartoi Kod të ri Penal dhe ia dërgoi Komisionit Evropian

Ministria e Drejtësisë njoftoi sot se është hartuar Kodi i ri Penal (KP). Dokumenti është përkthyer në anglisht dhe është dorëzuar për mendim në Komisionin Evropian (KE). Pasi KE të prononcohet për përmbajtjen e Kodit Penal, nëse nuk ka kundërshtime, dokumenti do të shkojë në procedurë qeveritare dhe më pas në Kuvend, ku duhet një shumicë e thjeshtë për t’u miratuar, transmeton Portalb.mk.

Informacioni për ndryshimet e miratuara në Kodin Penal vjen një ditë pasi Komisioni Evropian, ndër të tjera, në raportin e djeshëm për ecurinë e vendit theksoi se është i nevojshëm miratimi i një Kodi të ri Penal që do të jetë në përputhje me ligjin e Bashkimin Evropian dhe standardet ndërkombëtare.

Në raportin e publikuar dje, si ndikim negativ në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht për rastet e nivelit të lartë, KE vuri në dukje ndryshimet e vitit të kaluar në Kodin Penal, ku u ulën dënimet me burg për veprat që lidhen me shpërdorimin e detyrës zyrtare dhe shoqatat kriminale. Komisioni vlerësoi se ndryshime të tilla dobësuan kuadrin ligjor dhe mbyllën shumë nga çështjet në vazhdim.

Pas marrjes së detyrës në qershor të këtij viti, ministri i Drejtësisë Igor Filkov bëri të ditur se do të ndryshohet sërish Kodi Penal, si mënyrë për të anuluar situatën e krijuar nga ndryshimet e diskutueshme të vitit të kaluar në Kodin Penal.