MASH: Shkollat nuk do të hapen më 18 maj

Shkollat do të vazhdojnë të jenë nën dry, për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia. Ministria e Arsimit dhe Shkencës demanton informacionet se shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut do të rinisin me punë nga data 18 maj e këtij viti. Ata thonë se bëhet fjalë për një dokument të rremë i cili qarkullon në disa mediume se është sjellë vendim për nisjen e mësimit nëpër shkolla.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

“Informojmë se bëhet fjalë për informacion dhe dokument që nuk është përgatitur nga ana e MASH-it dhe të jetë konfirmuar nga Qeveria. Kjo temë nuk ka qenë lëndë diskutimi në seancat e Qeverisë ditët e kaluara. Për të gjitha vendimet të cilat institucionet e sistemit në mënyrë të koordinuar i sjellin në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, opinioni gjithmonë informohet me kohë nga ana e shërbimeve të angazhuara për marrëdhënie me publikun”.

Ministria apelon që të mos krijohen dhe shpërndahen lajme të rrejshme, pasi kjo nuk shkon në dobi të përpjekjes së përbashkët për përballje me gjendjen aktuale dhe krijon shqetësim shtesë tek qytetarët në këtë periudhë të rëndë për të gjithë.

Ndërkaq, ditëve të fundit nëpër rrjete sociale po qarkullojnë informacione se mësimi do të zhvillohet në bankat shkollore dhe institucionet edukativo-arsimore, do të hapen nga data 18 e muajit të ardhshëm.

Ndërkaq, para disa ditësh kryeministri teknik Oliver Spasovski deklaroi se pas festës së 1 Majit do të diskutojnë për çështjen e shkollave, se a do të kthehen dhe kur mund të kthehen nxënësit në bankat shkollore. Ai madje tha se as ai dhe asnjë përfaqësues i Qeverinë nuk mund ta dijë se kur do të nisin shkollat me punë, pasi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me virusin Covid-19, i diskutojnë detajisht dhe në nivele ndërinstitucionale.

Ndryshe, më 10 mars, dy javë pas arritjes së koronavirusit në vendin tonë, Qeveria mori vendim për mbylljen e të gjitha shkollave në nivel shtetëror. Pas pak kohe, ekzekutivi vendosi që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme por edhe studentët të vijojnë mësimin në mënyrë online, përshkak se nuk mund të parashihej se si do të vijoj infektimi nga virusi Covid-19./SHENJA/