Formula 1 në Shqipëri? Rama: Jemi në hapin e fundit përpara firmosjes!

Kryeministri Edi Rama është shprehur se “jemi në hapin e fundit përpara firmosjes” për sjelljen e Formula 1 në Shqipëri.

Në podkastin “Flasim”, kreu i qeverisë u shpreh se “cirkuiti që po ndërtohet në Elbasan “është koncept i cili na u vlerësua shumë nga Formula 1”.

“Nuk është thjesht një cirkuit për garën, është një park ku në zemër të aktivitetit do të jetë siguria rrugore, do të jetë destinacion për të edukuar njerëzit me sigurinë rrugore.

Me module trajnimi, edukimi, argëtimi, ky është momenti që e ka bërë projektin tonë atraktiv dhe na ka vendosur në sendiljen e parë, pasi kërkesat për të marrë Formula 1 janë nga të gjithë”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se nuk nget dot një makinë dhe as nuk është tifoz i këtij sporti, por theksoi se ia di impaktin, duke theksuar se do të jetë një motor i shtuar ekonomie për vendin.

 

“Nuk jam tifoz i 4 rrotave, më kanë ftuar të shkoj në garat e Formula 1 dhe i kam refuzuar, më duket një absurd të rri atje. Ia di vlerën dhe impaktin këtij sporti”, tha kreu i qeverisë.

Edi Rama: “Zor se nuk e di njeri, unë nuk ngas dot një makinë, nuk jam përpjekur kurrë që ta mësoj, nuk ngas dot një motor, nuk jam përpjekur kurrë që ta bëj. Dikur kam ngarë biçikletën, përgjithësisht korrekt. Me botën e 4 rrotave më ka lidhur, njërin që mbaj mend vetëm si mjegull, gjyshi im i cili ishte i çmendur mbas makinave, një çmenduri që e çoi deri në timonin Mbretit Zog.

Nisëm sjelljen e Formula 1 në Shqipëri në cirkuitin bë Elbasan që ka filluar të ndërtohet, shpresoj që së shpejti, nëse nuk ndërhyjnë gjëra të tjera, të bëjmë anonçimin e madh të ditës dhe vitit kur Shqipëria do të hyjë në këtë hartë.