Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka dërguar një letër nga burgu i Fierit, lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.
Letra, e cila i është dorëzuar avokatit, vjen pasi deputetët e përjashtuar të PD-së, së bashku me kolegët e tyre, bllokuan hyrjet e parlamentit, duke penguar socialistë të hyjnë në sallë.
Përplasjet u përshkallëzuan deri në konfrontime fizike mes deputetëve të të dy kampeve politike.
Në letër Salianji thuhet se dhuna dhe brutaliteti më i madh është eleminimi i kundërshtarit politik sipas tij, duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet.
“Shfaqja e agresorëve si viktima, e dhunuesve si të dhunuar, e abuzuesve si të prekur nga prekja e pronës publike është hipokrizi neveritëse. Njësoj siç vjedhin dhe përgjegjësine e mbajnë denoncuesit, siç shkretojnë dhe shkatërrojnë, siç e ndajnë Shqipërinë si plaçkë lufte për bandat dhe mes bandave, siç përndjekin administratën, shkatërrojnë meritokracinë, sot po përpiqen të sillen si viktima”.
“Dhuna dhe brutaliteti më i madh është eleminimi i kundërshtarit politik duke asgjësuar dhe nënshtruar institucionet. Duke përdorur institucionet, si komisionet e partisë, për të fshikulluar dhe hequr lirinë dhe asgjesuar të drejtat”.
“Krimi më i madh është shkatërrimi i demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit. Pas vrasjes, burgosja politike është forma më e rëndë dhe më brutale e dhunës. Opozita po mbrohet dhe po mbron demokracinë dhe interesin publik”, thuhet tutje në letër./Euronews.al