Duka: Vetëm edhe një person nga të infektuarit është në trajtim mjekësor shtëpiak, ekzaminimi lëviz pa probleme

Në Dibër, vetëm edhe një person është pozitiv me “Kovid-19” dhe gjendet në trajtim mjekësor në shtëpi. Sot, atij do t’i merret shtupë kontrolli dhe nëse rezultati është negativ, ai do të përfshihet në listën e personave të shëruar, informoi mes tjerash, kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka.

Kryetari i Komunës së Dibrës, i cili gjithashtu e drejton Shtabin Operativ të Komunës, tha në konferencën për shtyp, pas mbledhjes së Shtabit, se nuk ka raste të reja të diagnostikuar pozitivë me koronavirus në 24 orët e fundit, me ç’rast numri mbetët 51 persona të infektuar. Nga numri i përgjithshëm, 46 janë shëruar, ndërsa fatkeqësisht katër kanë vdekur. Në vetizolim, shtoi Duka, janë 16 persona.

Sipas tij, pa pengesa po zhvillohet skriningu për imunitetin e popullatës, që realizohet nga 17 mjekë amë, me të cilin duhet të përfshihen 2.342 persona në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë dhe se deri më tani ky aktivitet është realizuar në mbi 50 për qind.

“Gjendja e sigurisë gjatë fundjavës mund të vlerësohet si e mirë, përveç që gjatë 24 orëve të fundit tre persona nuk e respektuan ndalimin për lëvizje. Vjedhje, prishje të rendit publik dhe paqes, si dhe aksidente në komunikacion, nuk janë regjistruar. Pa pengesa funksionojnë pajisjet dezinfektuese të vendosura në hyrje të qytetit për automjetete”, theksoi Duka.

Ai informoi se vullnetarët e Kryqit të Kuq vazhdojnë të ofrojnë shërbime ndihmëse gjatë fundjavës. Kishte thirrje nga shtatë persona, dy prej të cilëve kishin nevojë për ushqim, ndërsa shtatë kishin nevojë për ilaçe.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë me përpikëri masat dhe rekomandimet e autoriteteve, si dhe detyrimisht të mbajnë maskë mbrojtëse dhe doreza nëse largohen nga shtëpitë e tyre.