Në Akademinë Përkujtimore të poetit Fadil Curri

Shkruan: Fitim Nuhiu

Sot u mbajt Akademia Përkujtimore e poetit tonë tashmë të ndjerë, z. Fadil Curri, të organizuar nga shtëpia botuese ‘Shkupi’ në bashkëpunim me familjarët e të ndjerit, në hapësirat e komunës së Çairit.

U theksua nga panelistët, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij kontributi i madh i poetit në fjalë, i angazhimeve dhe nismave të ndryshme të tija jo vetëm letrare, por edhe arsimore e kulturore, sidomos në shkollën ku ai punoi në Han të Elezit, të përmendura nga drejtori i kësaj shkolle, ku themeloi revistën shkollore, etj.

Vlen të përmendet se në këtë event, u promovua libri i tij “Hani i tre djajve”, i dorëzuar në botim deri sa ishte gjallë poeti, ku recensenti i librit, poeti Rexhep Bajrami elaboroi dhe vlerësoi librin në fjalë.

Gjithashtu me nismë të botuesit Azam Dauti dhe me mbështjetjen e komunës së Çairit, gjegjësisht kryetarit Visar Ganiu, u emërtua leximorja me emrin e poetit “Leximorja – Fadil Curri”, gjë kjo e vleshfshme dhe shumë dinjitoze për një institucion të karakterit të tillë dhe një përkujtim i mirë për poetin tonë.
Poeti Fadil Curri ishte kritik letrar, gazetar, recensent i shumë librave, publicist, aktivist qytetar, etj.

* * *

Unë, personalisht për herë të parë e kam takuar në vitin 2019, në hapësirat dhe korridoret e zymta dhe të pandriçuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme të MQV, duke pritur me orë të tëra për lejeqëndrimin një vjeçar, duke duruar byrokracinë e atyre zyrave diskriminuese dhe përçmuese, sepse edhe ai e ndante hallin e njëjtë sikur timin, që nuk kishim shtetësinë e këtij shteti të përçudnuar, sidoqoftë, rasti mbret i botës, e shfrytëzuam këtë pritje, duke qarë hallin e njëjtë dhe përfunduam aty ku na ngushëllonte dhe na qetësonte shpirtin, pra te letërsia.

Ndërkoha unë kisha në plan të promovoja librin tim të parë “Ç’njerëz”, ia dhashë një kopje, e lexoi, i kishte pëlqyer dhe më shkroi në FB, dhe unë i kërkova që të vjen në cilësinë e panelistit, ai pa hezituar menjëherë pranoi kërkesën time, kështu që më përkrahu dhe erdhi në Preshevë në promovimin e librit tënd. Kjo për mua ishte një nderë i madh, dhe u bëmë si u bëmë, caktuam datëm, ditën dhe e promovuam librin në vitin 2019 në Preshevë. Me të erdhi edhe poeti Rexhep Bajrami, ku më pas ky i fundit i dhuroi disa libra autorial bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi”. Poeti Fadil Curri, gjithashtu i solli edhe disa libra të vet autorial ku ia dhuroi bibliotekës së qytetit, në shenjë falënderimi, duke thënë se kur ka qenë në Preshevë para disa viteve, ka qëndruar një javë ku është habitur nga mikpritja e preshevarëve ndaj tij.

Nuk është që kam qëndruar shumë kohë me të, mirëpo ato pak takime që i kemi pasë, kanë qenë shumë cilësore dhe dobiprurëse për mua, sepse disi më jepte një dozë qetësie e sigurie për trazirat artistike dhe letrare që më gëlonin në mendjen time, kur përfundonim kafenë, ai nxirrte paratë për të paguar kafetë, dhe më thoshte, jo ty s’të lejoj të paguash, ty të duhen paratë, je i ri, ke jetën përpara. Shpesh i thosha se të jam borxhli, ai ma kthente, jo gabim e ke, ne ju jemi juve të rinjve borxhli…

Ishte njeri që e përshtatte bisedën edhe me bashkëbiseduesit e tij të moshës rinore, çdo gjë e merrte dhe e trajtonte me sportivitet, gjë që mund të them se ofronte vetëm pozitivitet gjithherë me bashkëbiseduesit e vet.

Poetin Fadil Curri e ka karakterizuar modestia, sinqeriteti, ka qenë nismëtar i shumë projektete kulturore dhe përkrahës i madh i talenteve të reja krijuese (si në rastin tim), e jo siç shohim disa kolegë të tij aktual që mezi s’presin që të nënçmojnë dhe duan doemos t’i vrasin po këto talente.

Kur pashë postimin e tij të fundit në FB, më kapi një ndjenjë e madhe pikëllimi, sikur më ngjau për babain tim disa vite më parë, mezi i shkrova një koment, duke i thënë “ti je i fortë, ia del edhe kësaj here, pres që të takohemi”, por ja që Zoti kishte bërë plane ndryshe nga dëshira jonë.

Ai la gjurmë dhe vepra të ndryshme letrare (dramë, poezi, romane, tregime e publicistikë), kështu që me plot gojën mund të them se ai jeton gjithmonë mes nesh, veprat e tij do të lexohet sa të jetë jeta dhe derisa të flitet shqip.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për figura të tilla dhe veçanërisht për poetin tonë të dashur!