Një zyrtar i lartë i Koresë së Jugut tha se vendi i tij mbetet i sigurt se nuk ka pasur “zhvillime të pazakonta” në Korenë e Veriut, duke sugjeruar se pretendimet për shëndetin e udhëheqësit Kim Jong-un janë të pavërteta.
Ministri i Bashkimit, Kim Yeon-chul, në një forum me dyer të mbyllura në Seul të dielën tha se Koreja e Jugut ka “inteligjencë solide për të thënë me besim se nuk ka zhvillime të pazakonta” në Korenë e Veriut që mbështesin spekulimet për shëndetin e Kim Jong-un, sipas ministrisë së tij.
Ai tha se nuk do të zbulojë se cili informacion specifik i inteligjencës çoi në këtë përfundim, por theksoi se ajo kishte kaluar një proces kompleks të analizës.
Zërat për shëndetin e Kim filluan të qarkullonin pas mos prezencës së tij në përkujtimin e 15 prillit, të 108-vjetorit të lindjes së gjyshit të tij, themeluesit të Koresë së Veriut, Kim Il Sung.
Kim Jong-un është gjenerata e tretë e familjes së tij që sundon Korenë e Veriut, dhe ai asnjëherë nuk kishte munguar në ngjarjen, një nga më të rëndësishmet në Veri, që nga koha kur mori pushtetin pas vdekjes së babait të tij Kim Jong Il në fund të vitit 2011.
Komentet e ministrit të bashkimit janë një përsëritje e deklaratave të mëparshme të Koresë së Jugut që pohojnë se Kim Jong-un shihet se po merrej me punët e shtetit normalisht dhe se asnjë veprimtari e pazakontë nuk ishte zbuluar në Veri. Këto komente të mëparshme nuk arritën të shuajnë zërat për Kim, të cilat janë ushqyer nga heshtja e mediave shtetërore të Koresë së Veriut për vendndodhjen e liderit të tyre.
Si udhëheqësi absolut i vendit me një program të armëve bërthamore, shëndeti i Kim është çështje me interes intensiv si rajonal ashtu edhe global. Nëse diçka do t’i ndodhte Kim-it, disa ekspertë thanë se kjo mund të çojë në paqëndrueshmëri në Korenë e Veriut.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut më herët pati deklaruar se kishte informacione se Kim ka qëndruar jashtë Phenianit dhe se nuk ka pasur ndonjë urdhër gatishmërie emergjente të lëshuar nga ushtria e Veriut ose Partia e Punëtorëve që drejton vendin, të cilat ka të ngjarë të ishin bërë nëse Kim do të ishte vërtet në gjendje të keqe.
Fotografitë e fundit satelitore të publikuara të shtunën nga “38 North”, një faqe në internet e specializuar në studimet e Koresë së Veriut, tregon se një tren që ka të ngjarë të jetë i Kim-it është parkuar në kompleksin e tij në bregdetin lindor të vendit që prej javës së kaluar.
“Prania e trenit nuk dëshmon vendndodhjen e udhëheqësit të Koresë së Veriut ose nuk tregon asgjë për shëndetin e tij, por u jep rëndësi raporteve se Kim po qëndron në një zonë elitare në bregdetin lindor të vendit”, tha “38 North”.
ë një zonë elitare në bregdetin lindor të vendit”, tha “38 North”.