Autoritetet në ishullin mesdhetar spanjoll, Mallorca kanë vendosur t’i japin fund të ashtuquajturave gara me peshqirë, kur turistët vrapojnë në plazhe herët në mëngjes dhe vendosin një peshqir ose ndonjë veshje në një shezlong, përpiqen të sigurojnë vendet më të favorshme për t’u çlodhur gjatë ditës.
Duke filluar nga viti i ardhshëm, pesë plazhe në Palma de Mallorca do të ndryshojnë këtë praktikë, duke përfshirë edhe të famshmen Playa de Palma me gjatësi gjashtë kilometra. Do të kërkohet një rezervim online, i ngjashëm me blerjen e një bilete aeroplani ose një bilete treni ose autobusi.
Turistët që nuk zbatojnë rregullin e ri dhe e lënë peshqirin e tyre në shezlong ose ombrellën e zgjedhur, përballen me një dënim. Përveç kësaj, rojet e shpëtimit do të autorizohen të heqin peshqirët.