Bekim Muji nga Gjilani fiton 250 euro në muaj duke punuar në një kompani private të sigurimeve në Prishtinë.
Kjo shumë thotë se nuk i mjafton as për të mbuluar shpenzimet elementare të familjes dhe shpesh detyrohet të marrë borxhe.
“Vetë i dyti jam, me bashkëshorten, por problem. Ato para nuk mjaftojnë. Marr borxh, kthej borxh, s’ke çfarë bën… Jeta është gjithqysh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Shumë qytetarë të Kosovës detyrohen të mbijetojnë edhe më me pak, ndërkohë që çmimet e konsumit, si gjetiu në botë, janë rritur.
Paga minimale në vend vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç, ndërsa mesatarja rreth 520 euro.
Osman Mustafa, punëtor ndërtimi nga Podujeva, thotë se një jetë dinjitoze për një familje 4-anëtarëshe në Kosovë, kërkon së paku 1.000 euro në muaj.
“Te ne në ndërtimtari nuk ka pagë nën 500 euro. Është më mirë se diku tjetër, por as këto nuk mjaftojnë”, thotë ai.
Qeveria ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro. Ligji nuk ka hyrë në fuqi ende, por edhe kjo shumë është larg asaj që nevojitet për një jetë të dinjitetshme, thonë studimet./REL