Kandidati republikan amerikan për president, Donald Trump deklaroi se pati një “bisedë shumë të mirë” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe se i premtoi se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë përmes negociatave.
Zelensky gjithashtu konfirmoi bisedën me kandidatin republikan për president të SHBA-së dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën ushtarake të SHBA-së. Por, në mesazhin në platformën X, ai nuk përmendi përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit 28-mujor.
Trump ka thënë se do t’i japë fund luftës në Ukrainë para se të marrë detyrën në janar nëse fiton zgjedhjet e 5 nëntorit. Ai tha gjithashtu se nëse do të kishte qenë në detyrë kur Kremlini dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk do të kishte pasur luftë.