Osmani: Ndihmat e Serbisë nuk shlyejnë krimet që i ka bërë në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se asnjë ndihmë e Serbisë nuk mund t’i shlyejë krimet që i ka bërë në Kosovë. Pas takimit konsultativ me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kryeparlamentarja kërkoi konsensus politik për të luftuar pandeminë, pasi sipas saj një çështje e tillë nuk duhet të politizohet.

“Nuk do të duhej të lejonim që luftimi i pandemisë ose masave që duhet të ndërmerren të politizohen. Por duhet një pajtim shumë më i gjerë. Prandaj edhe pjesëmarrja ime në këtë organizim të kryeministrit ishte për të treguar këtë përkushtim. Kur kemi për qëllim shëndeti ne qytetarëve të vendosim si prioritet, çështjet tjera t’i lejmë anash”, tha ajo.

Krahas kësaj, ajo tha se e gji thë bota e ka të qartë për krimet serbe që i kanë bërë në Kosovë.

“Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë, por e gjithë bota e ka të qartë për krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë. Ato kanë ndodhur para syve të botës dhe janë dëshmuar në Gjykata Ndërkombëtare. Kështu që Serbia tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dhuruar ndihma, por kjo nuk e shlyen atë qe kemi përjetuar secili prej nesh”, tha ajo.

Osmani para gazetarëve foli edhe për aktualitetin politik. Ajo u theksoi se ka një kohë të gjatë që kryesia e LDK-së nuk është duke informuar atë për veprimet e ardhshme për koalicionin qeverisës.

“Jam e painformuar, sapo dëgjova se qenka edhe një takim tjetër ku unë nuk jam ftuar. Nuk është asgjë e re ka një kohë të gjatë në të cilat nuk jam ftuar dhe konsultuar”, tha ajo.