VLEN: Konstruktiviteti i mbrëmshëm e zbuti retorikën radikale të BDI-së

Pas votimit të ndryshimeve ligjore për riorganizimin e ministrive, ku u mbështetën edhe nga BDI-ja, nga koalicioni VLEN thonë se një pjesë e BDI-së për çështjet e riorganizimit të ministrive tregoi se mund të jenë opozitë konstruktive. Nga VLEN shtojnë se ky është një hap i vogël drejt pranimit të realitetit.

“Është mirë që një pjesë e BDI-së për çështjen e riorganizimit të ministrive tregoi se mund të jetë opozitë konstruktive. Pas bojkotit të votimit për Afrim Gashin bashkë me partinë “E Majta”, ky është një hap I vogël drejt pranimit të realitetit. Ligji për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike në organet e administratës shtetërore është pjesë e marrëveshjes së koalicionit ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, e cila do të përmbajë mekanizma që do të zëvendësojnë balancuesin brenda afatit të arsyeshëm”, thuhet në kumtesën e koalicionit VLEN.

Ndërkaq nga koalicioni VLEN përshëndesin edhe nismën për themelimin komisionit parlamentar ad hok për kontrollin e pushtetit legjislativ mbi pushtetin ekzekutiv.

“Themelimi i komisionit parlamentar ad hok të kryesuar nga deputeti i opozitës është një hap i mirë në forcimin e kontrollit të pushtetit legjislativ mbi pushtetin ekzekutiv. Asnjë karrierë personale nuk është më e rëndësishme se e ardhmja e sigurt e shqiptarëve në BE. Organizimi i ri i Qeverisë do të mundësojë shkallë më të madhe të efikasitetit në realizimin e qëllimeve të përbashkëta programore, që është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, shtojnë nga koalicioni VLEN.