Në vijim të investimit për lidhur me kampet e refugjatëve në Gjadër dhe Shëngjin, si dhe përplasjet me kryeministrin shqiptar, Rai 3 ka realizuar një intervistë me Edi Ramën, i cili është përballur aty me gazetarin e televizionit italian, me të cilin ka pasur përplasje të forta pas dokumentarit të parë të publikuar.
Rama e akuzonte gazetarin e Rait se e lidhte qeverinë shqiptare me krimin, pa publikuar asnjë fakt.
Pjesë nga Intervista e Kryeministrit Edi Rama në Rai 3
Rai3: Atëherë, Kryeministër, falemnderit që pranuat këtë intervistë. E vlerësojmë shumë si shenjë disponibiliteti të madh. Pyetja e parë është kjo: Ju e përkufizuat emisionin tim, hetimin tim si “të neveritshëm”. Është gabim përkthimi apo donit vërtet të thoshit “i neveritshëm”?
KM: Tani jeni këtu në shtëpinë time dhe nuk do doja të këmbëngulja tek ajo fjalë, por, nëse doni të këmbëngulni, po, ishte shumë i neveritshëm.
Rai3: Pse?
KM: Sepse ishte shumë e qartë që qëllimi ishte të bënit një emision për qendrat e pritjes së migrantëve dhe është e drejta juaj e shenjtë, unë nuk mundem as ta vë në diskutim, që ju të keni opinionin tuaj, të informoni publikun tuaj rreth këtij opinioni, të mblidhni faktet… Por, ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe…
Rai3: Ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë.
KM: … dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme.
Rai3: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?
KM: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.
Rai3: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?
KM: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.
Rai3: Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?
KM: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…
Rai3: S’ka gjë, rifillojmë.
KM: E dëgjuat? Ai ka ide subversive…
Rai3: Ide subversive? Absolutisht jo.
KM: Bëj shaka. Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë. Jemi në një situatë ku duhet një qasje e përbashkët europiane, e të gjithëve. Nuk është një temë e politikës së ditës apo interesave zgjedhore, është një çështje shumë e madhe për t’u kthyer në objekt përplasjesh politike. Sepse në fund të fundit, të gjithë, kur vijnë në qeveri, e mendojnë njësoj dhe kërkojnë të bëjnë thuajse të njëjtën gjë. Qoftë e majta apo e djathta, në Itali e kudo, flasin për kontrollin e flukseve, flasin për flukse të paligjshme, flasin…
Rai3: Absolutisht…
KM: Atëherë, çfarë?!
Bëjmë moral kur rrimë aty e shohim të tjerët që iu duhet ta menaxhojnë dhe, pastaj, kur vjen puna për ta menaxhuar vetë bëjmë të njëjtën gjë? Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe të përbashkët të të gjithëve, përtej së majtës dhe së djathtës, për të kuptuar, nga njëra anë, që ka një demografi që po ndëshkon një Europë të tërë, të themi, sidomos Europën e vjetër…
Rai3: Një dimër demografik.
KM: … me rritjen e moshës së popullsisë që nuk duket se po ka një zgjidhje, ndërkohë, nga ana tjetër, ka një nevojë të jashtëzakonshme për fuqi të re punëtore. Ku do i gjejnë? Se nuk më duket që të rinjtë italianë janë të prirur të bëjnë më shumë fëmijë, për të ndihmuar flamurin trengjyrësh.
Rai3: Këtu dalloj Ramën socialist.
KM: Ramën socialist?… Në fakt, unë jam socialist pak i çuditshëm, sepse nuk besoj në llogoret ideologjike. Unë besoj në zgjidhjet e përbashkëta dhe në zgjidhjet që funksionojnë. Nëse një zgjidhje funksionon, funksionon dhe nuk mund të etiketohet si e majtë apo e djathtë dhe pastaj të bëhet diçka që nuk funksionon.
Rai3: Atëherë, më këtë marrëveshje po kontribuoni për ndërtimin e një modeli, sipas të cilit, vendet e pasura do ta zgjidhin problemin duke ua shkarkuar atë në kurriz vendeve të varfra?
KM: Para së gjithash, e kam thënë që në fillim, Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë problem, çfarëdo të bëjë. Ky problem zgjidhet së bashku dhe nuk është një problem që mund ta transferosh, është një problem që duhet ta godasësh dhe duhet goditur bashkërisht. Në këtë kuptim, po flisja për përmbajtjen e kësaj Europe, përballë kësaj sfide të plakjes dhe mungesës së krahut të punës dhe, nga ana tjetër, po flisja për nevojën për të mos rënë viktimë e të gjitha dëshirave kriminale të atyre që përdorin varfërinë, që shfrytëzojnë të gjitha problemet e të varfërve, për t’iu marrë edhe paratë e fundit që iu kanë mbetur e për t’i sjellë në Europë pa asnjë kontroll, pa asnjë filtër, pa asnjë politikë. Atëherë, për këtë duhet punuar, jo për faktin që, nëse e bën Xhorxha është keq, nëse e bën Minniti është mirë, apo e anasjellta.
Rai3: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?
KM: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, si të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, mandatet e ardhshme, mundësisë së ardhshme për t’u ngjitur në pushtet, është njësoj si të luash muzikë, teksa Titaniku po mbytet.
Nga ana tjetër, të mbytesh, themi ne, nuk di nëse e keni edhe ju në italisht, të mbytesh me një pikë ujë dhe ta paraqesësh këtë përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka – pa pretenduar se do zgjidhim problemin, po sidoqoftë duke kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së vendeve – si diçka për t’u hedhur tutje, është shumë nënçmuese dhe vërtet qesharake.
Rai3: Shqipëria do të pranojë qendra të tjera?
KM: Shqipëria e ka bërë këtë – dhe do doja të ishte e qartë – jo pse ishte hera e parë që merrte një kërkesë të tillë. Kemi marrë të njëjtat kërkesa nga vende të tjera dhe i kemi refuzuar, sepse ishin të pakuptimta. Një gjë është të jesh vend fqinj, me historinë e përbashkët që kemi. Italia është Shqipëria dhe Shqipëria është Italia, në mënyrën se si i shoh unë gjërat dhe në frymën e dy popujve tanë. Por, të presësh këtu njerëz të shkretë që i sjellin nga Anglia, nuk është diçka që bëhet. Duhet të krijohen sinergji të një tjetër lloji. Pra, jo. Kurrë.
Rai3: Ju i keni kërkuar Kosovës të hapë qendra të tjera?
KM: Unë?
Rai3: Po, qendra për migrantët, Ka një diskutim të tillë?
KM: Jo. Pse duhet t’ia kërkoj? Jo.
Rai3: Nuk është diskutuar asnjëherë kjo?
KM: Nuk e di. Ndoshta e kanë kërkuar të tjerë. Më duket se patën bërë një marrëveshje me Danimarkën, po nuk di si ka vajtur.
Rai3: Ah, Danimarka donte të ngrinte qendra për migrantët në Kosovë?
KM: Më duket se ka pasur një diskutim të tillë, po.
Rai3: Dëgjoni, Bechetti… Bechetti mbeti keq. E di, thoni që nuk e njihni.
KM: Bechetti është pika juaj e dobët, e di.
Rai3: E imja? Jo.
KM: E keni dobësi.
Rai3: Report ka bërë një emision mjaft të ashpër për Bechettin.
KM: Atëherë, zotëria është një kriminel, i dënuar me 17 vjet burg në bazë të ligjit shqiptar për afera të pista, pastrim parash, etj. kaq.
Rai3: Por një gjykatë ndërkombëtare ju ka dënuar t’i paguani 130 milionë euro. Pse nuk e zbatoni këtë vendim?
KM: Sepse kjo historia ende nuk ka mbaruar. Jemi në një proces gjyqësor në Belgjikë dhe kush mendon se kjo histori është mbyllur, besoj se do t’i duhet të rimendohet.
Rai3: Duke folur për fakte, Tirana është transformuar qëkur ju ishit kryetar bashkie e në vijimësi. Janë ndërtuar kulla shumë të larta fantastike. Si janë financuar këto kulla? Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat…
KM: Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.
Rai3: Po, në Tiranë, 20 për qind e apartamenteve janë bosh.
KM: Kush e thotë?
Rai3: Të dhënat zyrtare.
KM: Jo, nuk është e vërtetë.
Rai3: Të dhënat nga konsumi i energjisë elektrike.
KM: Jo. Po ju them diçka
Rai3: Është nga operatori juaj elektrik.
KM: Prisni, se jeni ndotur së tepërmi nga burime informacioni, që janë të njëanshme dhe ndaj duhet të vendosim pak ekuilibër.
Rai3: Janë të dhëna objektive,
KM: Atëherë, e para, ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët. Dhe ne shqiptarët jemi si ju, italianët. Ju jeni shqiptarë të veshur me Versace dhe pikë! Lërini Rafaelon, Leonardon e të tjerët se nuk keni pikë lidhje me ta, për ta thëne deri në fund siç është, edhe pse keni mendimtarë të mëdhenj, intelektualë të mëdhenj.
Rai3: Megjithatë, këtu thërrisni arkitektët italianë për të ndërtuar, si Boeri.
KM: Janë fantastikë, por po flas nga këndvështrimi.
Po nëse mendon për krenaritë e italianëve, mendon që Rafaelo ishte korsikan, megjithatë e lëmë. Atëherë, po ju thoja që, njësoj si ju, edhe ne jemi të lidhur me tokën, jemi të lidhur me rrënjët dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë për të blerë banesa e kështu me radhë.
Rai3: Pra, janë dërgesat e emigrantëve.
KM: Ne kemi kryer një studim, pikërisht për të kuptuar që nuk gjendeshim përpara një flluske dhe doli që kërkesa për të blerë apartamente është shumë më e lartë sesa oferta edhe sot. Pastaj, janë italianët që blejnë në Shqipëri dhe Banka qendrore e Shqipërisë ka botuar një të dhënë, sipas së cilës, investimet e huaja në Shqipëri janë rritur, kanë shënuar një rritje të menjëhershme falë investimeve të të huajve nga Bashkimi Europian, të cilët blejnë shtëpi ose zyra në Shqipëri. Dhe bëhet fjalë për qindra miliona, jo për një.
Rai3: Domethënë, edhe Kastrati i ndërton kullat me paratë e emigrantëve që kursejnë në Itali.
KM: Nuk e di saktësisht se kush janë, pasi janë të dhëna të përziera, por ju duhet të kuptoni që, për çdo banesë që shitet në Shqipëri bëhet kontrolli i origjinës së parave. Domethënë, ka marrë fund faza kalabreze, të themi, e Shqipërisë, kur bliheshin shtëpi në Tiranë me para në dorë dhe pastaj bëheshin bilance, bëheshin fatura që ishin gjysmë të vërteta.
Rai3: Kemi folur me një eksponent, ish-eksponent të rëndësishëm të qeverisë suaj, i cili pretendon se vitet e kaluara, shpesh, gjatë mbledhjeve zyrtare të qeverisë, ka paralajmëruar për kanabizimin dhe se ju keni thënë që do të jetë një “boost”, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë, do të zhvillojë shqiptarët. A është e vërtetë?
KM: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.
Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.
KM: I njëjti burim.
Rai3: Po.
KM: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.
Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.
KM: Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”.
Rai3: Po, a është e vërtetë apo jo që ju keni takuar figura të krimit të organizuar shqiptar.
KM: Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj.
Rai3: Megjithatë, unë jam këtu për të dëgjuar mendimin tuaj.
KM: Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Becchetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur.
Rai3: Sigurisht, një detaj specifik për figurën e Erebus (zoti i krimit) Agasit, domethënë Erebus Agasi mund të jetë paksa ai që ka raporte…
KM: Më fal, po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur.
Rai3: Unë ju bëj një pyetje, përgjigjja juaj mund të jetë bindëse.
KM: Përgjigjja ime është kjo: “Nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt.
Rai3: Po edhe media shqiptare flasin për Agasin si njeriu hije i pushtetit tuaj. Është kështu apo jo?
KM: Jo. Mediat shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediat shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha.
Rai3: Duke hyrë më konkretisht në gjërat për të cilat ka prova të dokumentuara: takimet tuaja me Luftar Hysën. Pse jeni takuar me Luftar Hysën këtu në vitin….
KM: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, po nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë.
Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave dhe i kartelit të lojërave të fatit. Këtu në Shqipëri i është dhënë koncesion për një kazino, kështu që flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.
KM: Unë ju them këtë, që ju flisni për Engjëll Agaçin dhe këtu ishte kulmi i emisionit tuaj.