Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar publikimit të organizatës “Demokracia Plus”, duke thënë se raporti i tyre, vërteton abuzimin tjetër me paranë publike të ministrisë së Financave përmes kontratave për shërbime të veçanta.
Sipas Hotit, punët që janë përgjegjësi e departamenteve dhe duhet të kryhet nga zyrtarët përkatës, ministria paguan konsulentë të jashtëm duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.
“1. Punët e Departamentit të Tatimit në Pronë, për të cilat angazhohen konsulentë të jashtë, përshijnë: sqarime për komuna lidhur me tatimin në pronë, të dhënat mbi detyrimet e komunave, bashkëpunimin me Zyrat e Tatimit në Pronë nëpër komuna etj.
“2. Njëjtë është edhe Departamenti për Vlerësimin e Pronave të Paluajtshme, ku për punët në vijim angazhohen konsulentë të jashtëm: vlerësimi i pronave të paluajtshme, përdorimin e sistemit të TI-së në vlerësimin e pronave, përgatitjen e raporteve lidhur me shpronësimet dhe këmbimet e pronave etj”, shkroi Hoti, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Hoti tha se abuzimi me paranë publike është arsyeja se pse Kosova nuk sheh rezultate në ekonomi nga shpenzimi i 11 miliardë eurove që sipas tij ka pasur Qeveria Kurti në menaxhim gjatë këtij mandati.
“Ky abuzim përfshinë: Kontratat njëburimore; Kontratat për shërbime të veçanta sikur këto në Ministrinë e Financave; Pagesat e avanceve si kurrë më parë; Subvencione për ndërmarrje publike dhe rrymën në veri si kurrë më parë etj”, shkroi ai.



