“Një ditë pasi kuvendet komunale të Leposaviqit dhe Zubin Potokut votuan për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës, e njëjta gjë është bërë edhe në Zveçan. Asociacioni i Komunave në Kosovë është formuar në vitin 2001 dhe në të janë anëtarë të gjitha komunat e veriut të Kosovës. Unë si kryetar i komunës së Leposaviqit kam qenë nënkryetar i asaj shoqate, ndërsa kryetar ka qenë Lutfi Haziri, atëherë kryetar i komunës së Gjilanit”, kishte deklaruar Radosaveloviq.
Çështja e anëtarësimit të tri komunave veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok në Asociacionin e Komunave të Kosovës, së fundmi ka nxitur reagime.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj akuzoi AKK-në se tash e shtatë muaj po refuzon që të shqyrtojë kërkesën e këtyre komunave për anëtarësim.
Lidhur me këto akuza drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një prononcim për Telegrafin, gjatë ditës së djeshme ka thënë se këto komuna vazhdojnë të jenë pjesë e AKK dhe se të njëjtat nuk janë tërhequr zyrtarisht.
“Nuk janë tërheq nga AKK dhe këshilli i kryetarëve nuk mundet me pranu diçka që nuk është tërheq, ata janë anëtarë tonë. Ata zyrtarisht nuk janë tërhequr”, tha Ibrahimi.