Shkruan: Arben Fetai
Bujari e nisi me Vuçiçin, e mbaroi me Llavrovin. Më 24 prill, ik i turpëruar.
Në politikën e jashtme, vizita e parë jashtë vendit e presidentit, kryeministrit apo ministrit të jashtëm është një ngjarje e mbushur me simbolikë, që përçon mesazh dhe jep tonin e mandatit që po fillon.
Bujar Osmani, si ministri i parë i jashtëm shqiptar i RMV-së, vizitën e parë zyrtare jashtë vendit e realizoi në Beograd ku u takua me Vuçiçin dhe Daçiçin, dy dishepujt më të denjë të Millosheviçit, të cilët i shpalli aleatë të vendit.
Dhe ashtu siç e nisi, ashtu e mbaroi. Më shpesh u takua me Vuçiçin e Daçiçin se me Kurtin e Gërvallën. Punoi shumë për Ballkanin e Hapur e fare hiç për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës, saqë nuk guxoi të dënonte sulmin mbi sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës nga bandat e Vuçiçit në Banjskë të Zveçanit. U bë persona non grata në Prishtinë dhe mandatin e kurorëzoi duke i thyer sanskionet perëndimore kundër Kremlinit me pritjen e Llavrovit në Shkup. Shqiptarët nuk ia panë hajrin, vetëm sherrin.
Pasi gjatë tërë mandatit të tij si ministër i jashtëm, i mbrojti me zell interesat sllave dhe i injoroi ato shqiptare, Bujari po kërkon vota për t’u bërë presidenti i parë shqiptar i RMV-së. Pra Bujari është shqiptar sezonal të cilit i bie në mend që është shqiptar vetëm atëhere kur afrohen afatet zgjedhore. Kësaj here, mashtrimi nuk kalon. Shqiptarët kanë opsion shqiptar fitues.