Arritja e kamionëve ushtarakë gjermanë në Kosovë, Rohde: Hap i parë drejt pranisë më të madhe ushtarake në terren

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, arritjen e kamionëve ushtarakë gjerman për Forcën e Sigurisë së Kosovës e ka cilësuar si hap të parë drejt një pranie më ta madhe ushtarake në terren.

Rohde, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se “Gjermania  vazhdon të marrë përgjegjësinë brenda KFOR-it të NATO-s në Kosovë”.

“Si hap i parë drejt një pranie më të madhe ushtarake në terren, pionierë nga Bundeswehr mbërritën dje në Kosovë për të përgatitur terrenin për rritjen e sërishme të kontingjentit gjerman të KFOR-it”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar pajisjen e FSK-së me kamionët ushtarakë nga Gjermania, ka thënë se modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë sonë, janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO.

 

“Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman, ku nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se kamionët ushtarakë të prodhimit gjerman “RheinMetall MAN HX2, 8×8”, të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë kosovare janë ndër më modernët.

Disa prej kamionëve të tillë janë blerë nga Qeveria e disa janë pranuar si donacion.

Këta kamionë ushtarakë, siç thotë Maqedonci janë multifunksional dhe të dizajnuar për operacione logjistike e taktike.