Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se askush nuk po kërkon nga Serbia që ta njohë Kosovën dhe se kjo është diçka që Serbia duhet ta vendosë vetë, por shtoi se Prishtina dhe Beogradi pritet të merren me atë që përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak ka vendosur në tryezë për të qetësuar marrëdhëniet e ndërsjella, raporton agjencia serbe e lajmeve FoNet, transmeton Klan Kosova.
Tutje bëhet e ditur se Hill theksoi që qëndrimi i SHBA-së dhe BE-së është se duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë, i cili siç tha, do të sigurojë elementet e nevojshme që serbët të jetojnë aty pa frikë, duke vlerësuar se Asociacioni nuk është një eksperiment social, por përmban elementë që janë testuar dhe provuar në të gjithë Evropën.
I pyetur nëse ka lidhje mes njoftimeve për ndihmë me armë për Kosovën dhe bisedave të vazhdueshme nga Beogradi se ushtria serbe duhet të armatoset, Hill tha se shumë vende duhet t’i forcojnë forcat e tyre ushtarake, por duhet pasur kujdes që të mos kthehet në një garë armatimi dhe sepse një garë e tillë zakonisht fillon dhe përshpejtohet vetë.
“Ndihma për Kosovën është e një natyre afatgjatë dhe nuk ka të bëjë me situatën dhe tensionet aktuale, dhe për më tepër, duhet të çojë në një situatë ku nuk është e nevojshme vendosja e forcave të huaja në territorin e Kosovës. Ajo që na intereson vazhdimisht është lloji i stabilitetit. Besoj se të gjithë duhet të kuptojnë se mënyra më e mirë për të dalë nga këto kohë të vështira është dialogu”, nënvizoi Hill.




