Shkruan: Shkëlzen Halimi
Institucionet e pakta kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut kurrë nuk arritën të çlirohen nga dora e fortë e partisë për të vepruar në mënyrë të pavarur. Prandaj, ato sot e kësaj dite mbeten me aktivitete të zbehta, sepse janë në varshmëri të plotë nga vullneti partiak.
Të themeluara si shembuj të avancimit të të drejtave shqiptare, këto institucione, të mbushura me individë (aktivistë) me kapacitete intelektuale të dyshimta, shërbejnë vetëm për nevojat e retorikës së herë pas hershme të kampanjave zgjedhore, si përpjekje për t’i hedhur hi syve të elektoratit për “arritjet” e partisë në pushtet.
Në fakt, udhëheqjet e këtyre institucioneve aktivizohen sa herë që të jetë e nevojshme t’i kontribuojnë partisë në përmirësimin e imazhit të saj. Pikërisht kjo ka kontribuar që jeta kulturore e shkencore të jetë akoma në hapat e para pa ndonjë jehonë, prandaj asgjë nuk perceptohet nga veprimtaria e këtyre institucioneve, asgjë nuk mbetet në kujtesën e shoqërisë shqiptare.
Bëhet fjalë për institucione kulturo-partiake pa identitet dhe vazhdojnë të mbeten institucione hibride ku gërshetohen amatorizmi dhe injoranca. Ky gërshetim që nuk prodhon asgjë të qëndrueshme dhe afatgjatë, financohet edhe nga taksapaguesit shqiptarë, 90 për qind e të cilëve as që e dinë se e paguajnë amatorizmin dhe injorancën.
Shumica e këtyre të punësuarve thjeshtë mrizojnë nëpër zyra, duke i shtrirë këmbët njëra mbi tjetrën dhe duke e lodhur trurin vetëm për pritjen e datës përkatëse kur trashet (paga mujore) xhiro llogaria e tyre.
Pra, ky është i vetmi aktivitet-parazit i amatorëve, të cilët rrinë nën strehën e ngrohtë partiake, aq më tepër kur dihet se në këto institucione askush kurrë nuk është përballur me llogaridhënien.
Shtrohet pyetje, vallë ka ngelur ndonjë krimb që do të skërmiste ndërgjegjen e ndonjërit nga të shumtët që bëjnë jetë paraziti për këtë anemi intelektuale, kulturore e shkencore?
Institucionet e tilla janë shembujt më eklatant të keqpërdorimit të politikës për nevojat e një rrethi të ngushtë, të cilët interesat e tyre personale i kamuflojnë me disa projekte “nacionale”, si një hap drejt realizimit të të drejtave kombëtare.
Të paktë janë ata që u besojnë, kurse të shumtë janë ata që fare nuk e dinë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë institucione kulturore!