Shkruan: Naser Pajaziti
BDI po shkelë dekadën e dytë në pushtet dhe është për tu habitur se çfarë po ndodhë me mentalitetin dhe shoqërinë tonë, që nuk e akcepton fare ndryshimin. Në këtë mozaik jemi ndjekur edhe nga dukuritë e shitjes dhe vjedhjes së votës, shitblerjes dhe pazareve ndërpartiake, por edhe të popullit si sovran!
Qytetari zakonshëm çfarë nuk ka parë e s’ka parë në fushëbetejën politike të të gjithë atyre që synuan ta rrëzojnë nga pushteti këtë parti të etabluar fuqishëm në çdo pore të pushtetit!
Së fundi po shohim qasje, strategji dhe referate të përsëritura dhe të konsumuara, që kanë pirë ujë dhe që nuk vlejnë as pesë pare dhe që si bën hesap kjo BDI.
Në mungesë të profesionalizimit të partive tona në çdo fushëveprim, ndodhë që ato të mbërthenen nga frymat militanteske, e që në fakt nuk prodhojnë efektin dhe strategjinë ndryshe.
Përpos një unifikimi të konsoliduar në bashkëveprim edhe me shoqërinë civile dhe individë të dëshmuar, duhet dëshmuar diçka ndryshe, vërtetë ndryshim thelbësor, vlera dhe protagonizëm ndryshe me figura tjera të lojës.
Opozitarizmi duhet të prodhoj figura të reja dhe një qasje ndryshe më shumë profesionale dhe bindëse.
Janë dy çështje kyçe që duhet të bëj kjo opozitë apo gjithë ata që duan ndryshim apo sfidim.
Sfida e PARË është tek listat zgjedhore. Nëse ata që duan ndryshimin apo sfidimin duhet që në listat zgjedhore të fusin si bartës figura të reja, duke përjashtuar edhe liderët. Këto figura duhen të jenë personalitete publike që kanë peshë, bagazh, të dëshmuar dhe me të arritura personale profesionale . Të tillë kemi edhe përbrenda po atyre strukturave partiake, por edhe tek shoqëria civile, në mesin e popullit. Kjo ide ndoshta do të jetë e papërballueshme për dikë, por kjo është diçka ndryshe dhe që mund të ketë ndonjë efekt, i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt!
Sfida e DYTË është formimi i një “Qeverie nën hije”, përmes së cilës do të spikaten dhe do nxirren figurat e reja të dëshmuara në çdo lëmi, të cilët që tani do të shpalosin programe dhe ide në arsim, shëndetësi, ekonomi, çështjet sociale, kulturë dhe sferat e tjera. Por edhe programi për diasporën, sepse ajo tashmë është një realitet dhe faktor dominues që reflekton në çdo aspekt. Këto figura të jenë të dëshmuara dhe që me ekipet e tyre jashtë bunkerëve partiak, të ofrojnë dhe të promovojnë frymën e ndryshimit me parime dhe qasje mbipartiake, në interes të të gjithë qytetarëve.
Është një leksion i njohur jetësor që thotë: “Asnjëherë, kurrë, mos i jep këshillë dikujt që nuk ta kërkon, sepse e para nuk ta vlerëson, e dyta ta merr për keq, sepse thotë çka i duket vetja këtij që më jep këshilla!”
Partive tona shpesh i shkon ky përkufizim sepse një pjesë e tyre janë model i njëmendësisë militanteske me qasjen e mbylljes së tyre në rrethin vicioz, për rrugëtimin e idetë e tyre të fushëveprimit. Pak ose fare nuk dëgjojnë një ide, një mendim apo këshillim nga jashtë. Shpreshherë ata janë pre apo gjah i profiterëve individualistë që të rrahin shpinën apo edh të bëjnë gropën. Liderët e tyre, me përjashtime të vogla mbyllen nga grupacione dhe individë që shpesh mendojnë se dijnë gjithçka, e që në fund groposen.