Blinken: NATO me vendosmëri iu është përgjigjur atyre që duan ta destabilizojnë veriun e Kosovës

 

Dje është mbajtur takimi i ministrave të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s.

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, tha se është diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor.

Blinken foli edhe për Kosovën duke thënë se “NATO-ja i është përgjigur me vendosmëri atyre që synojnë ta destabilizojnë veriun”.

“Siç e kemi edhe thënë më herët gjatë këtij viti, me kemi dislokuar trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. E kemi thelluar bashkëpunimin tonë me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë. Kjo po ashtu ishte pjesë e rëndësishme e bisedës sonë gjatë këtyre dy ditëve”, tha ai.

Sekretari i amerikan i Shtetit theksoi se nuk dëshiron kthimin e konfliktit në Ballkan.

“Kur kam nisur këtë karrierë, në qendër të shqetësimeve tona ka qenë Ballkani. Në qendër të shqetësimit tonë dhe të shqetësimeve të shteteve në mbarë botën, veçmas në zonën transatlantike, ishte Ballkani, Bosnja dhe më pas Kosova. Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan. NATO ka luajtur rol kyç që të ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në stabilitetin më të gjerë evropian”, tha ai gjatë një konference për media.

Ai shtoi se NATO për një kohë të gjatë është shtyllë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.