Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës, më 23 nëntor 2023, organizoi koncert festiv për festën e
veçantë të popullit amerikan, Ditën e Falënderimeve. Këtë aktivitet kulturor- artistik e ndoqën edhe
drejtuesit e Universitetit të Tetovës, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, prorektorë, dekanë,
pedagogë dhe studentë nga njësitë akademike të UT-së. Po ashtu, në këtë koncert mori pjesë edhe
Gazmend Ilazi, përgjegjës i programeve arsimore ndërkombëtare në Ambasadën e SHBA-ve në Republikën
e Maqedonisë së Veriut. Ndërkaq, mysafir special i këtij koncerti ishte profesori i programit Fulbright, artisti
i njohur David Bullman.
Në fjalën e tij të rastit, Dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli i falënderoi të pranishmit për
pjesëmarrjen e tyre në këtë eveniment kushtuar miqve amerikanë. Ai deklaroi se Dita e Falënderimeve
është një ngjarje e veçantë kur familja dhe miqtë mblidhen për të ndarë një vakt dhe për të festuar me
njëri-tjetrin ndërkaq sot, sikurse theksoi ai, jemi mbledhur si miq dhe familjarë për t’u njohur me këtë
traditë të cilën e kemi begatuar edhe me koncertin festiv.
Në këtë veprimtari kulturore, studentët dhe profesorët e programit studimor të Artit Muzikor dhe artistët e
njohur si: Shkëlzen Baftjari, David Bullman, Melisa Loki, Diellon Mustafa, Lulesa Pajaziti, Doriana Selmani,
Zule Saiti dhe Abdullah Xhaferi, realizuan një performancë të shkëlqyer artistike duke i realizuar me
mjeshtri pikat e programit muzikor.