Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për pranimin e propozimit të re të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e situatës me Asociacionin.
Rama përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se kjo është një pikë kyqe.
“Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe.” – ka thënë ai.
Rama tutje ka shtuar se liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të punojnë ngushtë me partnerët perëndimor për zbatimin e marrëveshjes së arritur në shtator.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve.” – shkroi ai.