Dy të vdekur pas sulmeve izraelite në aeroportet e Sirisë, 55 të vrarë në Gaza nga sulmet gjatë natës

Media shtetërore siriane po raporton se sulmet me raketa izraelite kanë shënjestruar dy aeroportet kryesore të vendit.

Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve thotë se aeroportet ndërkombëtare të Damaskut dhe Alepos janë sulmuar. Të paktën dy punëtorë civilë u vranë në aeroportin e Damaskut, njoftoi Reuters, duke cituar drejtorinë e përgjithshme të meteorologjisë të qeverisë siriane.

Aeroportet e Damaskut dhe Aleppos të Sirisë jo vetëm që trajtojnë aviacionin civil, por edhe bazat ushtarake, të cilat thuhet se janë pika tranziti për armët iraniane të dërguara për Hezbollahun, një grup militant që është i fuqishëm si në Siri ashtu edhe në Liban.

Ndërkohë sipas deklaratës së Hamasit, 55 njerëz u vranë në sulmet ajrore gjatë natës në Gaza.

Hamasi deklaron se më shumë se 30 shtëpi u shkatërruan pasi një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmet ajrore në Rripin e Gazës do të intensifikoheshin, ndërsa ushtarët izraelitë përgatiteshin për një ofensivë tokësore të parashikuar.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se sulmet do të ndihmonin në reduktimin e rreziqeve për forcat izraelite, të cilat janë të grumbulluara rreth kufirit. Ai u tha civilëve palestinezë në Gaza që të vazhdojnë të lëvizin në jug për sigurinë e tyre, veçanërisht ata që jetojnë në qytetin e Gazës.

Izraeli ka kryer më shumë sulme ajrore vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sulmi i fundit goditi një xhami në Jenin, të cilën ushtria e përshkroi si një qendër komandimi për terroristët.

Top Channel