Kurti: Vuçiqi e Radojiçiqi si Millosheviqi e Arkani – e rëndësishme të sanksionohet Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për terroristin Milan Radojiçiq, i cili sot mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti tha se ajo që po përpiqet ta bëjë Beogradi është përpjekja që ta shkëputin Radojiçiqin nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Radojçiq ishte duke ekzekutuar në terren, në Banjskë, atë që po e urdhëronte Vuçiq nga Beogradi. Ne i kemi para ata bashkë nëpër takime në Beograd e në Rashkë Pra, ky është një relacion tipik sikur ai i 30 vjetëve më parë ndërmjet Milosheviqit dhe Arkanit”.

“Pra, ky është një relacion tipik sikur ai i 30 vjetëve më parë ndërmjet Milosheviqit dhe Arkanit. Ne e kemi parë këtë film të keq. Ne nuk kemi nevojë ta ribëjmë atë. Dhe është me shumë rëndësi të sanksionohet Serbia dhe të dënohet fuqishëm sulmi terrorist dhe kriminal ndaj Kosovës, ndaj policisë tonë”, tha Kurti për AP, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, kreu i qeverisë së Kosovës tha se personat që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë me shumë gjatë janë anëtarë të dy organizatave të shpallura si terroriste nga Kosova, atë të Brigadës së Veriur dhe Mbrojtjes Civile, për të cilat tha se kanë kontakte dhe komunikimin me Federatën Ruse.

“Dhe këta profesionistë paraushtarakë të armatosur rëndë janë strukturat të armatosura si Wagner, Wagner-wannabe që po përpiqen të dëmtojnë sigurinë tonë policore dhe paqen e qytetarëve të Kosovës”, tha Kurti.

Më tej, Kurti kërkoi që të hetohet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si person i cili ka dhënë mbështetje logjistike, ushtarake, politike e financiare për grupin paramilitar që vrau heroin Afrim Bunjaku.