Reagon edhe Rama pas ngjarjeve në veri të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale X ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kosovë, ku një polic humbi jetën në krye të detyrës.

Për Ramën kjo humbje është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur.

Ai ka kërkuar të thirret një konference e jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht të merren të gjitha masat e jashtëzakonshme me KFOR-in.

Kjo për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, që rrezikon të gjithë rajonin.

Rama thekson se Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit.

“Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetërore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”.