A ka marrë leje nga Kurti për vizitën në Kosovë? Përgjigjet Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se së shpejti do të vijë në Kosovë.

Kështu i tha gazetarit të Klan Kosova pasi përfundoi konferenca për media pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Meqë nuk pranoi që t’i bëheshin pyetje shtesë, Vuçiq e ftoi gazetarin e këtij mediumi që të shkojnë në Serbi, aty ku tha se do t’i përgjigjej në të gjitha pyetjet.

“Katër pyetje mi ke parashtruar”, i tha Vuçiq gazetarit Gazmend Syla  pas insistimit të këtij të fundit, “ Eja në Beograd te unë dhe do të të përgjigjem në gjithçka”.

“Eja në Prishtinë dhe do t’ju bëjmë më shumë pyetje”, ia ktheu Syla.

Ndaj kësaj Vuçiq u shpreh se do të vijë në Graçanicë së shpejti.

“Sapo të më jepni atë leje demokratike, do të vi në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë”.

“A e keni pyetur Kurtin për të?”, e pyeti gazetari ynë.

“Nuk mund ta pyes Kurtin, e pyes popullin tim dhe populli do që të më sheh”, u përgjigj presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.