Rama flet për sulmet që mund t’ia bëjnë shtetet ballkanike njëra-tjetrës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni ka folur për raportet e shteteve në rajonin ballkanik, ai duke u ndaluar tek bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut në procesin eurointegrues, tha se po që se do t’i shikonte shtetet aktuale ballkanike, secila do ta sulmonte ndonjërën, transmeton TV21.

“BE-ja ka të bëjë me vlera, ka të bëjë me parime shumë të rëndësishme dhe kjo e ka krijuar, si një projekt i paqes, i bazuar në vlera dhe parime. Ukraina duhet të shihet si një anëtare e mundshme, por do të dëshiroja që kjo mos të determinohej edhe për Ballkanin Perëndimor. Ndryshe, deri sa Dritani po fliste, po shikoja dhe po thosha, kush do të sulmojë kënd në këtë panel, për të marrë anëtarësimin më shpejtë me Ukrainën dhe Bullgaria mund ta sulmojë lehtësisht Maqedoninë e Veriut, pa asnjë dyshim. Kroacia mund ta sulmojë lehtësisht Serbinë, Serbia lehtësisht mund ta sulmojë Kosovën. Bosnja mund ta sulmojë vetveten, pa problem. Ne, jam i sigurt nëse i pyesim grekët që të na bëjnë një nder, do të na sulmojnë me kënaqësi. Mali i Zi mund të bëhet si i vdekur në plazh…dhe kështu do të jemi të gjithë”, tha Rama./TV21